Në botë mungojnë 117 milionë vajza. Ky është vlerësimi i fundit i bërë nga një raport i Kombeve të Bashkuara i prezantuar pak javë më parë në Bangkok, në konferencën për popullsinë aziatike. Mungojnë, sepse nuk kanë lindur kurrë, u hoqën sapo u zbulua seksi i tyre: femër. Por ky nuk është një fenomen i ri. Për këtë, ekonomisti Amartya Sen, kishte kërkuar vëmendjen e shoqërisë më shumë se 20 vjet më parë. Fituesi i çmimit “Nobel” kishte folur për 100 milionë gra në një nga artikujt e tij më të famshëm, ku i referohej Azisë, Kinës, Indisë, Koresë së Jugut. Por të dhënat e fundit demografike tregojnë se aborti i vajzave nuk është një fenomen i përhapur vetëm në vendet e juglindjes aziatike. Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, ky konsiderohet një fenomen i zakonshëm edhe në Kaukaz, në Shqipëri, Armeni, Mal të Zi. Me flukset migratore, ky fenomen i rëndë ka mbërritur deri në zemër të Perëndimit: Britania e Madhe, SHBA dhe Kanada apo Itali. “Është e vërtetë se shifrat janë ende të vogla për të shkaktuar një problem demografik në Perëndim, siç ndodh në vendet aziatike, por përfaqësojnë një problem të vërtetë social dhe politik”, tregojnë ekspertët. Studiuesit e problemeve demografike janë të ndërgjegjshëm për një motiv të thjeshtë: në natyrë raporti mes sekseve në lindje është konstant. Por në disa vende të botë lindin më shumë meshkuj, deri në kufijtë që e spostojnë raportin në vlera të pamundura për biologjinë: 100, 115, 120 apo 130 meshkuj për 100 femra. Kjo mungesë balance është fryt e zgjedhjes së seksit, e përhapur edhe pse e ndaluar, në dy vendet më të mëdha aziatike. Ky fenomen vërehet mbi të gjitha aty ku ka një preferencë të madhe për meshkujt (një proverb hindu thotë se të rrisësh një vajzë është njëlloj si t’u marrësh erë luleve të komshiut) bashkangjitur përhapjes së teknologjive mjekësore si ekografia dhe reduktimi i fertilitetit. Jo më kot është quajtur si gjenocidi i gjinive.
Në botë mungojnë plot 117 milionë femra
Jetimoret kineze pranojnë vetëm vajza
Deri pak kohë më parë në Itali, për shembull ishte vetëm fillimi, ndjesi të punëtorëve që punonin nëpër konsultore: për shembull, një e re pakistaneze, u prezantua në spitalin San Karlo të Milanos. “Këmbëngulte në mënyrë të pazakontë për të zbuluar seksin e fëmijës”, tregon një nga mjeket që e vuri re këtë fenomen e që vendosi të ndërhyjë për ta parandaluar. “Kur ekografia nxori se priste një vajzë, nuk u bë më e gjallë. Një vit më vonë erdhi sërish. Prapë shtatzënë. Priste një djalë dhe për shtatzëninë e parë tha se kishte ecur keq”. Edhe pse problemi nuk është shfaqur hapur, prej kohësh dihet që ekziston. “Në të kaluarën gratë e etnive të ndryshme si ato indiane apo arabe kërkonin hapur ta ndërprisnin shtatzëninë nëse fetusi ishte femër”, tregojnë mjekët, por kur e kuptuan që ndërprerja e shtatzënisë për këtë arsye nuk lejohej nisën të kërkonin të tjera mënyra alternative për t’i shpëtuar kësaj “fatkeqësie”. Sot dyshohet se ka nga ato gra që vendosin të shkojnë në klinika private ku bëhet analiza për të zbuluar seksin e fëmijës që në javën e dhjetë të shtatzënisë, në kohë për të abortuar brenda tremujorit të parë, për të eliminuar të gjitha rreziqet për shëndetin më vonë. Ekografia mund ta zbulojë seksin e fëmijës më vonë, dhe ka shumë mundësi që gratë që përdorin këtë ekzaminim që ofrohet nga strukturat publike të bëjnë aborte klandestine. Për më tepër mund të përdorin edhe ilaçe, si për shembull Cytotec, pilula kundër ulcerës në stomak. Mjekët thonë se e përdorur në doza të mëdha mund të provokojë abort. Po ashtu ndodh, që nëse nuk gjejnë rrugëzgjidhje gratë kthehen për të lindur në vendet e tyre të origjinës. Jo rastësisht jetimoret kineze pranojnë vetëm vajza: jo jetime, por të braktisura që nga lindja. Edhe në disa vende të Europës si Italia shifrat për raportin mes sekseve flasin qartë: 106 meshkuj për 100 ferma. Por gjërat ndryshojnë nëse analizohen shifrat e lindjeve nga të huajt sidomos nga emigrantët me origjinë aziatike, por edhe shqiptare: në këtë rast raporti mes dy sekseve është i llahtarshëm. “Për fëmijën e parë nuk ka shumë pretendime, por nëse djali në familje nuk vjen as në shtatzëninë e dytë, atëherë aborti i foshnjave të seksit femër është i garantuar”, tregojnë mjekët. Por pas disa vitesh heshtjeje, në botë debati është rindezur sërish. Në Kanada ku ekzistojnë kufizime ligjore për abortin (edhe pse zgjedhja e seksit për fekondimin artificial është e ndaluar) dhe pas një studimi gjigant që tregoi diferencën e madhe mes meshkujve dhe femrave sidomos nga gratë koreano- jugore, indiane dhe filipinase, autoritetet shëndetësore vendase propozuan që deri në muajin gjashtë të shtatzënisë të mos bëhej i ditur seksi i fëmijës.
Në botë mungojnë plot 117 milionë femra
Edhe në Britaninë e Madhe po diskutohet të merret e njëjta masë. Gazetarët e “Daily telegraph” filmuan me kamera të fshehtë mjekë të disa klinikave private që në këmbim të pagesës kryenin aborte vetëm se prindërit nuk donin të sillnin në jetë një vajzë. “Masakra” ndaj vajzave është produkt i tri forcave sipas demografëve: preferencës për fëmijët meshkuj, dëshira e një familjeje jo të madhe në numër dhe futja e teknologjive të reja, si ekografia, që të lejon të dish seksin e fëmijës para se të lindë. Në të kaluarën, kur ishte normale të kishe shumë fëmijë, familjet mendonin se herët apo vonë do të lindte edhe një djalë. Por sot, të gjitha çiftet duan jo më shumë se dy fëmijë, ndaj ato që duhet të sakrifikojnë janë vajzat. Për këtë arsye, raporti është më i çekuilibruar në zonat më moderne të Indisë dhe Kinës. Situata përkeqësohet sidomos pas shtatzënisë së parë, kur në fillim mund të pranohet një vajzë, por nëse edhe fëmija i dytë është femër, bëjnë gjithçka për të pasur një djalë. Vajzat janë viktima të një kombinimi pervers mes paragjykimeve antike dhe familjeve moderne gjithmonë e më të vogla në numër. Sipas Nick Eberstadt, një demograf amerikan, shkaku i vërtetë i këtij fenomeni është një “kombinim fatal mes preferencës tradicionale për fëmijët meshkuj, rënies së lindshmërisë dhe përhapjes së teknologjive të reja për të parë seksin e fëmijës”. Në të gjitha shoqëritë lindin mesatarisht 103- 106 meshkuj për çdo 100 femra. Ky raport ka mbetur i tillë për shekuj me radhë, ndaj shpesh duhet të themi se është edhe një proces natyror. Meshkujt kanë më shumë mundësi të vdesin gjatë fëmijërisë, ndaj lindin më shumë djem. Në momentin që në moshën e pubertetit, numri i tyre të jetë i barabartë me atë të vajzave. Por në 25 vitet e fundit, ky raport ka ndryshuar. Në një sondazh të bërë nga qeveria indiane, 60 për qind e grave me dy fëmijë deklaroi se do të donte që fëmija i tretë të ishte djalë, një përqindje thuajse dyfish më e madhe në krahasim me fëmijën e parë. Përqindja shkonte në 74 për indianet që kishin tre fëmijë. Deri në vitet ’80, banorët e vendeve të varfra nuk mund të bënin asgjë për të “siguruar” një djalë. Thjesht natyra ndiqte rrjedhën e saj. Por në vitet pasardhëse, hyrja e teknologjive të reja, si ekografia, ndryshoi gjërat. Mjekët indianë nisën të bënin reklama me sloganin: “Paguaj 5 mijë rupi sot, por kurse 50 mijë nesër”. Kursimi lidhet me lindjen e vajzave. Miliona çifte që nuk donin vajza, por që nuk kishin kurajë t’i vrisnin zgjidhnin abortin. Tani një ekografi mund ta kryejnë edhe më të varfrit, pasi kushton jo më shumë se 12 dollarë.
Në botë mungojnë plot 117 milionë femra
Meshkuj beqarë
Pas 20 vjetësh në Kinë dhe Indi dhjetëra burra nuk do të arrijnë të gjejnë dot gra nëse ky fenomen vazhdon. Në këto dy vende më shumë se një e katrat e meshkujve që duan të martohen mund të ngelen beqarë. Kështu meshkujt beqarë për mungesë të grave do të përbënin një përqindje të madhe, rreth 20 për qind në Kinë në 2060 dhe 15 në Indi. E gjithë kjo do të jetë si pasojë e çekuilibrit mes sekseve që në lindje. Sipas demografëve, pasojat në popullsinë botërore të gjithë kësaj do të ndihen pas 50 vjetësh. Pasojat sociale të këtij fenomeni janë të paparashikueshme, sepse asgjë e tillë nuk është parë në të kaluarën. Meshkujt beqarë do të jenë të fundit në shkallën sociale. Në çdo vend, të rinjtë e pamartuar krijojnë probleme, sidomos kur rriten. Ndaj vihet re përqindja e lartë e kriminalitetit mes tyre. Kinezët dhe indianët mund të martohen vetëm pas të 50-ave duke iu kushtuar studimeve dhe pasurisë. Është një alarm i tmerrshëm për poliandrinë: shumë burra për një grua. Madje një shqetësim edhe për bashkimet gay mes meshkujve. Të gjitha zgjidhjet që mund të shndërrojnë shoqërinë provinciale aziatike në gjendje të mos fshijë dot impaktin e këtij çekuilibrimi mes seksesh.