
Gjatë seancës, Vukaj ka treguar shenja të forta pendimi për ngjarjen, madje nuk kanë munguar dhe lotët, ndërsa i ka kërkuar falje familjes Qarri. “Unë nuk e kam njohur farë Aleksandrin, as nuk e kam ditë se ekziston ndonjë person me këtë emër, dhe jo më të kem ndonjë problem me të. Nuk e di sesi ndodhi. Unë nuk kam dashtë të vras njeri. Qëllimi im i vetëm ka qenë të tremb Lekë Markun”, – është shprehur 16-vjeçari. Sipas tij, fakti që Leka dhe njerëzit e tij dalin haptazi, pa pasur frikë, e ka bërë që të mendojë se si t’i trembë. Duke dashur të vërtetojë këtë deklarim ai ka shtuar “nëse unë do të doja ta vrisja Lekën e kam pasur të lehtë, mund t’i afrohesha edhe më shumë dhe ta qëlloja mbi trup disa herë. Unë kam dashtë me e trembë ndaj e kam qëllu prej larg. Por, fatkeqësisht automatiku bëri qitje të pakontrolluara, dhe ndodhi tragjedia e tmerrshme”, – ka thënë Alfred Vukaj.Prokurori i çështjes, Lazër Çardaku ka kërkuar masë sigurie “Arrest me burg” dhe vlerësimin e veprimeve të policisë si të ligjshme. Ndërkohë që, avokati ka pretenduar që për klientin e tij të jepet masë sigurie “Arrest shtëpie”. Pasi janë dëgjuar të gjitha palët, kryetari i trupit gjykues, Tonin Sterkaj ka vendosur lënien në burg të autorit të vrasjes. Vlerësimi i masës së sigurisë ndaj 16-vjeçarit është bërë në masa shumë të forta sigurie dhe me dyer të mbyllura. Vetëm pak minuta pasi ka përfunduar seanca gjyqësore për Alfred Vukën, në gjykatë ka mbërritur Sandër Vukaj, djali i xhaxhait i 16-vjeçarit, i cili akuzohet për “Armëmbajtje pa leje”. Masat e forta të sigurisë kanë vazhduar edhe për këtë seancë. Avokati ka kërkuar për të si masë sigurie “Detyrim paraqitjeje”, ndërsa prokurori ka kërkuar “Arrest me burg”. Nisur dhe nga vetë ngjarja, togat e zeza kanë vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg”. Ngjarja për të cilën akuzohet Alfred Vukaj ndodhi të martën në qendër të qytetit të Shkodrës. Aleksandër Qarri mbeti i vrarë nga një breshëri automatiku (kalimtar i rastit), si dhe u plagosën dy persona: Lekë Marku që ishte shënjestra dhe August Begeja, edhe ky kalimtar i rastësishëm në vendngjarje. Tri ditë më parë, Vukaj deklaroi se kishte planifikuar të vriste Markun, pasi prej shumë vitesh familja e tij ishte në gjak me familjen Marku.